Intelegjenca artificiale në marketing digjital – Përdorimi dhe ndikimi në tregun e punës
Si e ka ndryshuar Intelegjenca Artificiale Fushën e Marketingut Digjital?
Në eventin e radhës të HaPiTe diskutuam për marketingun digjital në epokën e intelegjencës artificiale me Diora Binxhiu, Udhëheqëse e Marketingut Digjital në Polar Bear Agency dhe Arbian Shkodra, Shef i Departamentit të Teknologjisë në Quantix LLC. Gjatë eventit, ata ndanë mendimet e tyre mbi ndërveprimin mes marketingut digjital dhe intelegjencës artificiale.
Si mund të perdoret intelegjenca artificiale në marketingun digjital?
Diora tha se si industri marketingu digjital ka qenë i lidhur me intelegjencën artificiale prej fillimit edhe pse ndoshta nuk e kemi ditë që është intelegjencë artificiale.
“Si industri, marketingu digjital ka qenë i ekspozuar me intelegjencën artificiale prej fillimit, prej targeting që kanë qenë në facebook e Instagram, edhe pse ndoshta nuk e kemi ditë që është intelegjencë artificiale. Ne si industri e kemi pranu goxha shumë si pjesë të punës që ka fillu me u zhvillu më shumë kohëve të fundit.”
Në vazhdim ajo tha se edhe pse një agjencion i marketingut digjital mundet me shfrytëzu intelegjencën artificiale në shumë aspekte, qoftë ajo në menaxhimin e projekteve, copywriting, dizajn apo edhe në krijimin e videove, ekziston një rezistencë për përdorimin e veglave IA në lehtësimin e punës.
“Për dizajn, intelegjenca artificiale e ka lehtësu punën shumë, e njëjta është edhe për krijimin e videove. Tash, për një kohë shumë të shkurtër mundesh me e bo një video që ndoshta përpara të ka marrë një javë. Sidoqoftë, po e shoh një rezistencë për të përdorur platforma të intelegjencës artificiale. Nuk duhemi me pa IA si kërcënim po më shumë si asistent që na ndihmon në zgjerimin e ideve që veç i kemi.”
Edukimi, produktiviteti dhe e ardhmja e tregut të punës në epokën e IA-s
Arbiani gjatë diskutimit tha se një nga ndikimet më të mëdha të IA-s është rritja e produktivitetit, sidomos në botën e programerëve. Një programer sot mund të përfitojë shumë nga platformat si ChatGPT, jo vetëm për zgjidhjen e problemeve të ndryshme, por edhe për edukimin dhe formimin profesional.
“AI produktivitetin e ka rritë për një shkallë shumë të madhe edhe gjithashtu edhe edukimin e programerave, sepse kur e bën një kërkesë në ChatGPT ose ndonjë platformë tjetër, po e kthen përgjigjen edhe me “best practices” edhe nëse e vazhdon zhvillimin e kodit në bazë të atyre praktikave, po mëson në të njejtën kohë edhe praktika më të mira.”
Sa i përket transformimit që intelegjenca artificiale do ta bëjë në treg të punës, Arbiani tha se është e mundur që shumë pozita do të shuhen, mirëpo ata që adaptohen dhe e pranojnë intelegjencën artificiale në proces të punës do të jenë ata që do të vazhdojnë të kenë punë e edhe sukses në të ardhmen.
“Është e vërtetë që disa pozita do t’i shuajë. Do të jetë një lloj transformatori, mirëpo sa më shpejt që fillon me e përfshi në rutinë ditore, do ta zëvendësosh dikë që nuk është mësuar më përdorimin e intelegjencës artificiale.”
Këshilla si të përdorni intelegjencën artificiale
Duke qenë se të dy panelistët kanë një përvojë të pasur në fushën e tyre, ata ndanë disa këshilla për të përdorur intelegjencën artificiale me efikasitet:
Një prompt i personalizuar sjell një përgjigje më të saktë.
Kombinimi i veglave ju ndihmon të krijoni një përmbajtje më të pasur.
Duke qenë se veglat si ChatGPT e të tjera nuk janë gjithmonë të sakta në fakte, është e rëndësishme me bo fact checking.
Veglat e intelegjencës artificiale të domosdoshme për çdo Marketer
Dhe në fund, këto janë disa nga veglat që panelistët i përdorin e që do të ju ndihmojnë edhe juve në krijimin e përmbajtjes:
ChatGPT – për shkrim dhe SEO
Midjourney – për dizajn
Copy.AI – për copywriting
Notion – për organizimin dhe menaxhimin të projekteve
ShqipAI - për transkriptimi në gjuhën shqipe
Se çka është folë më shumë gjatë eventit, shikojeni videon më poshtë dhe mos harroni të ndiqni HaPiTe në rrjete sociale për të mos humbur eventet e ardhshme.