Si të punosh me influencerë? Gjithçka që duhet të dish

A ke menduar gjithmonë që brendit apo biznesit tënd i duhet bashkëpunimi me influencerë, por gjithmonë ke hezituar? Nuk ke ditur sesi t’ju drejtohesh apo të komunikosh?

Ndër influencerët më të rëndësishëm në vend, të cilët punojnë me industri dhe audienca të ndryshme, kanë ndarë mënyrat e bashkëpunimit me biznese, në eventin e organizuar nga HaPiTe.

Gjërat që nuk duhet t’i bëni në raport me influencerët

Miran Ramadani, Jehona Gjocaj dhe Gresa Boshtraj, theksuan rëndësinë që bizneset të mos ndërhyjnë në përmbajtjen që ata e krijojnë. Për ta është jetike ta ruajnë imazhin të cilin e kanë ndërtuar dhe audiencën që e kanë arritur.

“Gabimi kryesor që e bëjnë bizneset është që mendojnë me ta diktu përmbajtjen që e bën për ta. Kjo sepse secili influencer arrin një sukses në bazë të natyralitetit dhe origjinalitetit, e ti si biznes po don me ndërhy bash në atë pikë. Ka pas raste që kur e kom përpilu kontratën e kom cekë që nuk mundesh me ma diktu përmbajtjen, sepse është shumë e papërshtatshme për influencerë. Askush nuk mundet me ta sforcu kreativitetin”, tha Mirani.

Sipas Jehonës, presioni që kompanitë mund t’u bëjnë influencerëve për krijimin e përmbajtjes shpesh rezulton me ndërprerjen e bashkëpunimit.

“Në fillim kanë mendu me më tregu se kur me publiku postimin. Para 4 vjetve ka qenë një kompani që më ka ofru bashkëpunim por më ka shkaktu shumë stres, sepse ka ndërhy se kur me postu, si me postu edhe ka bërë presion, për këtë e kam ndërpre marrëvshjen”, ka thënë ajo.

Edhe Gresa thotë që është e rëndësishme t’u besohet puna influencerëve, sepse ata e njohin audiencën e tyre më mirë se kushdo tjetër.

“Sfida ma e madhe të cilën po e kam për momentin është si me arrit me e realizu marketingun në mënyrë indirekte, sepse në momentin që audienca po e kupton që është marketing ose po ia nis direkt me folë për produktin, menjëherë e tejkalojnë sepse e dinë që je pagu për këtë produkt. Kur është pak më indirekt, më natyral është edhe më efektive edhe mundesh me përcjellë mesazhin,” tregon Gresa.

Bashkëpunimi me influencerë, sipas tyre, duhet të rregullohet me kontrata vjeçare në të cilën theksohen qartazi përgjegjësitë e tyre dhe biznesit të cilin e përfaqësojnë.

Këshilla tjetër që ata e kanë për të gjitha bizneset që zgjedhin këtë lloj marketingu është të kenë durim dhe të presin nga influencerët të bëjnë më të mirën e tyre.

Si vendosin influencerët të bashkëpunojnë me bizneset?

Pavarësisht që përfitojnë nga promovimi, të ardhurat nuk janë kriteri i vetëm që influencerët të pranojnë të bashkëpunojnë me biznesin tuaj. Në eventin “Puna me influencerët: sfidat, mundësitë dhe strategjitë”, influencerët shpalosën kriteret mbi të cilat i përzgjedhin bizneset për bashkëpunim.

Duke qenë se imazhi në publik është shumë i rëndësishëm, influencerët thonë se kujdesen që produkti apo shërbimi që e promovojnë të jetë i nivelit të lartë, të mos jetë i dëmshëm për shoqërinë dhe të jetë i natyrës që i shkon profilit të tij.

“Çka nuk e konsumoj vet ose çka është në dëm të audiencës nuk e promovoj, vetëm e qes në veti a ia vlen me promvu a jo. Humori është i pranueshëm edhe për secilin prej produkteve mundohna me nxjerrë ndonjë humor, diçka ma kreative edhe qajo ma ka leju mos me qenë i kufizum për me bashkëpunu me krejt brendet. Por, nëse e shoh që ndonjërit produkt nuk i shkon humori, nuk bashkëpunoj”, tha
Mirani.

Sipas Gresës, për të është e rëndësishme edhe mënyra sesi duket produktit.
“Së pari e identifikoj si brend, mos është diçka që sjell dëm e analizoj edhe pamjen e produktit e shoh se a doket mirë se normalisht që ndikon në imazh promovimi i një produkti që nuk duket mirë, pastaj e shoh çfarë prodhimi është, për rastet e produkteve të kozmetikës dhe kujdesit naj lëkurës e testoj njëherë produktin”,
thotë ajo.

Sipas tyre, bashkëpunimi përfshin këto faza:

1. Hulumtimin e produktit dhe brendit

2. Brainstorming për ide për krijim të përmbajtjes

3. Xhirimin dhe montimin e videove

4. Publikimin e përmbajtjes

Si ta matësh performancën e marketingut të influencerëve?

Në fund të ditës, të dhënat janë ato që e tregojnë suksesin ose jo të marketingut. E njëjta vlen edhe për promovimin përmes influencerëve. Por, si matet suksesi i tyre?

Sipas të ftuarve në eventin e HaPites, metrikat kryesore që tregojnë rezultatin e punës së tyre janë: pëlqimet, shikueshmëria, numri që e kanë arrit me përmbajtjen e tyre, por edhe numri i personave që e kanë ruajtuar postimin.

Këto ishin disa nga mënyrat që i treguan nga përvoja e tyre. Për më shumë info sesi të bashkëpunosh me influencerë, ndiq videon e plotë!

Previous
Previous

Intelegjenca artificiale në marketing digjital – Përdorimi dhe ndikimi në tregun e punës

Next
Next

Krijimi i përmbajtjes për audiencë globale nga Kosova