“Fillimi i një karriere në Freelancing”, diskutim për sfidat dhe mundësitë

Në eventin e radhës të Hapite Space u diskutua për fillimin e karrierës në Freelancing, ku folës ishin Riard Rexhepi dhe Granit Selimaj, freelancerë të suksesshëm.

Përvojën mbi 10 vjeçare e shpalosën para të pranishmëve, duke i informuar ata për profesionet më fitimprurëse në platformat e freelancing, aftësitë e domosdoshme për të pasur sukses në këtë formë të të punuarit si dhe dhanë këshilla mbi zgjidhjen e vështirësive të ndryshme.

Riardi tregoi se një freelancer aktiv mesatarisht fiton rreth 30,000€ në vit. Tutje, ai tha se një freelancer në tregun global fiton mesatarisht $18 në orë.

Sa i përket profesioneve më fitimprurëse në freelancing, Riardi i përmendi pesë prej tyre.

“Programer, dizajner grafik, asistent virtual, shkrimtar dhe menaxher i rrjeteve sociale. Por, sa do që je programer i mirë ose dizjaner ose në çfarëdo profesioni që je, nëse nuk ke njohuri të gjuhës angleze është shumë problem me siguru një kontratë pune, sepse kjo gjuhë është shkathtësia kryesore që duhet ta keni”, vazhdoi ai.

Kur u pyetën nga audienca se për cilat profesione është i mundur freelancing, ata thanë se çdo punë e cila bëhet në zyrë, mund të bëhet edhe nga distanca. U përmend se Google ka më shumë kontrata me freelancerë (54%), krahasuar me punëtorë të brendshëm (46%).

Pyetjes se a duhet të fokusohet vetëm në freelancing një person që fiton më shumë prej freelancing sesa prej punës së rregullt, ata u përgjigjën se rreziku në freelancing ekziston, sidoqoftë zgjedhja varet prej personit se sa kohë i përkushtojnë punës freelance.

Ky ishte eventi i dytë në Hapite, e cila është hapësirë e rezervuar për ngjarje dhe mbledhi të komunitetit. Për t’u informuar rreth eventeve të radhës, ndiqeni atë në rrjetet sociale.

Previous
Previous

Krijimi i përmbajtjes për audiencë globale nga Kosova

Next
Next

Rëndësia e marketingut digjital në agjenci – flasin ekspertët e fushës